Produkti shqiptar vjen në një hapësirë të përbashkët në zemër të Tiranës

88

TIRANË, 11 tetor /ATSH/- Shqipëria punon tokën – edicioni i dytë i panairit më të madh të bujqësisë dhe agropërpunimit në vend, vjen në 12 dhe 13 tetor 2018 në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës organizojnë në zemër të Tiranës edicionin e dytë të  Panairit “Shqipëria punon Tokën”.

Ky është panairi më i madh bujqësor, blegtoral, që hap dyert për fermerë, blegtorë dhe sipërmarrës shqiptarë të sektorit rural.

Produktet shqiptare do të ekspozohen, nën skenografinë e vendit ku prodhohen. Gjithashtu pranë këtij panairi do të gjeni një arenë të manifestimit të kulinarisë shqiptare, ku mjeshtrat e kuzhinës dhe restorantet, do të ofrojnë mundësinë e degustimit të recetave më të spikatura.

Në panair do të jenë ekspozitorë nga kategori kryesore: Të rinjtë sipërmarrës në bujqësi, agroindustri, verëra, alkool, agroturizëm, fruta-perime, blegtori, produkte shtëpie – tradicionale, banka, fonde garancie në bujqësi etj.

Risia e këtij panairi do të jetë hapësira dedikuar programit “100 fshatrat” dhe sipërmarrësve të rinj, në sektorin bujqësor dhe blegtoral.

Në panair do të gjeni informacion për skemat mbështetëse dhe të gjithë instrumentet e financimit, asistencë në hartimin e planeve të biznesit, këndin e mjeteve bujqësore, këndin e të rinjve, si dhe këndin e gatimit, ku do të gjeni gatimet tona tradicionale. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.