Paketa fiskale, personat fizikë do të kenë vetëm një NIPT

136

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ – Paketa fiskale e vitit 2019, parashikon një tjetër ndryshim të rëndësishëm, i cili nuk lejon personat fizikë të kenë më shumë se një NIPT.

Aktualisht, një person fizik mund të hapë disa biznese njëkohësisht me NIPT-e të ndryshme. Rrjedhimisht, duke copëtuar aktivitetin ai qëndron poshtë kufirit 5 milionë lekë të xhiros vjetore, duke mos paguar tatim mbi fitimin.

Por, nga 1 janari, personat që kërkojnë të hapin më shumë se një biznes do të kenë vetëm një NIPT. Rrjedhimisht, ndërmarrjet e tyre do të konsiderohen si një biznes i vetëm.

Pra, nëse një person fizik ka 4 biznese që kanë xhiro nga 5 milionë lekë në vit secili dhe sot nuk paguan tatim mbi fitimin, nga 1 janari këto katër biznese do të konsiderohen si një biznes i vetëm me xhiro 20 milionë lekë. Rrjedhimisht, ky qytetar që sot nuk paguan asnjë lek tatim mbi fitimin, nga 1 janari do të paguajë 15%. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.