Oficerët e sigurisë në shkolla, Janaqi: 150 “kujdestarë” në terren

199

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ 150 efektivë do të operojnë në gjimnazet e vendit për të siguruar një vit shkollor pa incidente, në kuadër të projektit të oficerëve të sigurisë në shkolla.

I ftuar në studion e “Report TV”, Gert Janaqi, Drejtor i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, foli mbi rolin e oficerit të sigurisë në shkolla.

Ai shpjegoi se në shkolla, roli i tyre do të jetë ai i një kujdestari, për të cilin kanë edhe mbështetjen e prindërve.

“Principi është që ata të sinjalizojnë, por gjithashtu kanë një rol kujdestar. Për ta do të krijohen ambiente brenda shkollave, që edhe të kenë kushtet e tyre”, – tha ai.

I pyetur se çfarë ndikimi ka tek nxënësit një nismë e tillë, Janaqi solli si shembull shkollat pilot, ku edhe është testuar nisma.

Sipas tij, “rezultatet kanë qenë befasuese, ndonëse jo të menjëhershme”.

“Kemi pasur rezultate befasuese. 15 efektivët e parë të parët fituan një klimë besimi, por është një marrëdhënie e cila nuk ndërtohet në një ditë. Oficeri mund të zhvillojë konsultat në grup, por edhe individualisht. Efektivi nuk do ta zëvendësojë psikologun, apo punonjësin social”, – shtoi Janaqi.

Një nismë e tillë, sipas tij, mund të shtrihet edhe në shkollat 9-vjeçare, gjithmonë nëse ka të njëjtat rezultate, siç kanë pasur shkollat pilot.

Ndërkohë sipas tij, “mosha e re e efektivëve do të ishte më e mirë për t’u përshtatur me moshën e adoleshentëve”. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.