Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur Fatos Arapi

149

TIRANË, 11 tetor/ATSH/- Shkrimtari i njohur i letërsisë shqipe Fatos Arapi u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 88-vjeçare.

Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e Sharrës.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Arapi.

“Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit e përkthyesit Fatos Arapi. Vepra e tij e pasur dhe kontributi i jashtëzakonshëm, do të mbeten unikale në letërsinë shqipe, si dëshmi e një individualiteti me kontribute të vyera”, – shprehet Meta.

Meta shton se “i veçantë dhe i paharruar do të mbetet për mua takimi me të, kur student 20-vjeçar, e ftova për një bisedë me një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomisë”. Ai shton se thjeshtësia, modestia dhe mirësia e tij në komunikim, na la mbresa të veçanta të gjithëve dhe e bëri figurën e tij edhe më shumë të dashur për të gjithë ne.

Arapi lindi në vitin 1930 në qytetin e Vlorës. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane” dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi.

Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.