Meta rikthen sërish në Kuvend ligjin për Teatrin

80

TIRANË, 11 tetor /ATSH- I. Vata/ – Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Në arsyetimin e tij, Meta shprehet se “Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje”.

Ligji i ri, sipas Presidentit, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë”.

Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cënuar funksionimin e vetë shtetit të së drejtës.

Në këtë mënyrë, në tërësi ligji i ri paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje.

Presidenti arsyeton se “së pari, veprimtaria parlamentare e zhvilluar për miratimin e ligjit të ri ka shmangur sërish zbatimin e parimeve kushtetuese. Kuvendi nuk ka shqyrtuar 8 (tetë) nga 9 arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekret, duke shmagur kështu zgjidhjen e çështjes dhe duke krijuar sërish një normë të re ligjore antikushtetuese.

Presidenti i Republikës, pas vlerësimit të ligjit konstatoi se ky ligj ishte në kundërshtim me: parimet dhe dispozitat kushtetuese; aktet ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka ratifikuar; gjithashtu fryma e këtij ligji shkonte në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare”.

Bazuar në këto konstatime Presidenti i Republikës, vendosi; “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’”, duke e shoqëruar këtë dekret me një raport shterues të arsyeve mbi të cilat u mbështet kjo vendimmarrje e Presidentit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.