Lezhë, festivali Folklorik mbledh rapsodët në edicionin e 10-të

106

TIRANË,11 tetor /ATSH/ – Qyteti i Lezhës do mirëpresë rapsodë dhe instrumentistë popullorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë në edicionin e 10-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar, në fund të muajit tetor.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj priti sot në një takim drejtoreshën e QKVF-së Rezearta Kokonozi, ku u diskutua mbi platformën e bashkëpunimit në mënyrë që ky aktivitet kombëtarë të jetë sa më i suksesshëm.

“Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë” është e vetmja veprimtari e cila i kushtohet tërësisht muzikës së bartësve dhe rapsodëve tanë, që interpretojnë duke kënduar me lahutë, lahuri, çifteli apo shkarki.

Takimi i parë i këtij aktiviteti kulturor u organizua në Lezhë në vitin 1995 për të vijuar traditën në çdo vit me këtë veprimtari folklorike. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike është institucion shtetëror qendror, i specializuar, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ky institucion e trajton trashëgiminë jomateriale shpirtërore folklorike si pasuri kombëtare që ruhet e zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe jashtë kufijve shtetërorë si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi e Diasporë.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike (QKVF) trajton si pasuri kombëtare të gjitha ato vlera të krijuara nga pakicat kombëtare e linguistike në Shqipëri dhe i propagandon ato në veprimtaritë e organizuara prej saj dhe ato në bashkëpunim me të tretët. QKVF me veprimtarinë e saj punon për evidentimin, mbrojtjen, popullarizimin dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale. Organizon seminare, tryeza të rrumbullakëta, takime pune në marrëveshje me institucione të tjera kulturoro-artistike, shoqata kulturore si dhe grupe private që merren me artin dhe kultivimin e trashëgimisë jomateriale.

Njëkohësisht QKVF organizon botime të ndryshme etnomuzikore, koreografike, ilustrative të kulturës jomateriale dhe organizon veprimtari kushtuar figurave të shquara të kulturës popullore shqiptare e studiuesve dhe mbledhësve të folklorit, interpretuesve të melodive, këngëve dhe valleve popullore, mjeshtrave të artizanatit etj. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.