Klasat kolektive, qeveria do të ndërhyjë në zonat me prioritet

61

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ – Qeveria shqiptare është duke i dhënë zgjidhje problemit të klasave kolektive, duke ndërhyrë fillimisht në zonat me më shumë prioritet. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë një interviste televizive theksoi se “një hap është hedhur edhe në mbylljen e klasave kolektive. Janë 340 klasa të tilla në mbi 200 shkolla në të gjithë vendin. Nuk është e mundur që të arrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë mbyllja e klasave kolektive, por qeveria do të ndërhyjë në zonat me prioritet”, – tha ministrja e Arsimit.

Duke u ndalur tek oficerët e policive në shkolla, Nikolla sqaroi se pas pilotimit në 15 gjimnaze kjo metodë ka rezultuar e suksesshme. “Pas pilotimit në 15 gjimnaze ka rezultuar i suksesshëm vendosja e një oficeri policie në shkolla. Nuk bëhet fjalë për punonjës policie. Janë persona të kualifikuar që janë trajnuar edhe për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në shkolla. Praninë e tyre Ministria e Arsimit do ta shtrijë në 150 shkolla në mbarë vendin”, – sqaroi ministrja Nikolla.

/m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.