FOTO – “Samiti i Vajzave” për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë

265

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ – Në kuadër të ditës ndërkombëtare të vajzave, për herë të parë u zhvilluar samiti i vajzave.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu mori pjesë në takimin e zhvilluar sot pranë Kuvendit të Shqipërisë, si një takim inkurajimi ndaj vajzave e grave në vendin tonë.

“Në Samitin e Parë të Vajzave për t’i inkurajuar të marrin në konsideratë pjesëmarrjen në lidership, duke patur besim te vetja, kurajo për të udhëhequr si grua. Sepse të qënurit vajza nënash, gra burrash, nëna vajzash nuk është minus, nuk është pamundësi, është plus, është dyfish mundësi”, – ka thënë Manastirliu në Samitin e Vajzave.

Ministrja u shpreh se “një grua në politikë, por edhe në fusha të tjera ku drejton, ka më shumë mundësi të shkëlqejë nëse di të mos pyesë veten: A mundem unë? Por t’i thotë vetes, ja pse mundem! Duhet vetëm që ju të besoni te vetja”.

Ajo pohoi se modeli i saj, jo përmes fjalëve, por përmes forcës së shembullit, është nëna e saj.

“Nuk ka mësuese më të mirë dhembshurie, dashurie dhe vrasëse më të madhe të frikës, se nëna. Unë jam në politikë për të dhe për gjithë nënat dhe vajzat. Është portreti i saj që më del përpara sa herë që më mungon koha ti jap përgjigje mesazhit mbi ankesat dhe kërkesat, siç janë po ashtu edhe vajzat e mia”, – tha Manastirliu.

Ministrja është një prej ambasadoreve të Samitit të Parë të Vajzave, një iniciativë globale që inkurajon vajzat të marrin në konsideratë një të ardhme në lidership dhe synon të përfshijë sa më shumë gra e vajza në politikë, duke i lidhur ato me gra dhe vajza politikane, nën moton “Udhëhiq një vajzë”.

Ky samit u zhvillua për herë të parë dhe ishin të pranishëm figura të rëndësishme të jetës politike e publike. Ministrja Manastirliu është një prej ambasadoreve të Samitit të Parë të Vajzave, një iniciativë globale që inkurajon vajzat të marrin në konsideratë një të ardhme në lidership dhe synon të përfshijë sa më shumë gra e vajza në politikë, duke i lidhur ato me politikanet gra dhe vajza, nën moton “Udhëhiq një vajzë”.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.