Foto/ Certifikata mirënjohjeje për mjekët dhe infermierët vullnetarë, ndihmuan edhe në Maratonë

67

TIRANË, 11 tetor/ATSH/-Dy vite më parë, Bashkia e Tiranës krijoi bërthamën e vullnetarëve të saj, kurse sot rrjetit i janë bashkuar qindra të rinj, të cilët angazhohen në organizimin dhe mbarëvatjen e shumë aktiviteteve sportive, kulturore, si Maratona e Tiranës, Tirana Art Fest apo ditët e pastrimit të qytetit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikatat e mirënjohjes për 10 të rinj vullnetarë, mjekë dhe infermierë, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për kujdes shëndetësor dhe ndihmën e parë në zonën e Parkut të Liqenit Artificial gjatë verës, por edhe për kontributin e tyre në zhvillimin e mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës.

Ai i falenderoi ata për kontributin e vyer që dhanë sidomos në ditën e zhvillimit të Maratonës së Tiranës, duke ndihmuar me lehtësimin e trafikut, lëvizjeve të qytetarëve, orientimit të sportistëve të huaj, apo edhe me ndihmën e shpejtë për ata që kanë pasur nevojë. Atë ditë vullnetarët ishin përqendruar në shumë pika shërbimi përgjatë itinerarit të maratonës.

“E di sa e rëndësishme është që të mbështetesh në çuna dhe goca që duan të bëjnë mirë, që janë profesionistë. Në shumicën e kohës jemi ankues profesionistë, jemi specialistë të tregojmë si nuk bëhet një gjë dhe patjetër, japim mend nga kafja apo pika e basteve. Por, ‘hanë bukë veç’ ata njerëz që thonë: Unë s’jam pjesë e këtij kori qaramanësh, dua të bëj diçka të veçantë, qoftë edhe pa pagesë, të jap kontributin tim dhe të jem shembull se si bëhet më mirë”, – tha Veliaj, duke iu drejtuar vullnetarëve.

Ai u shpreh se projekti pilot i bashkisë së Tiranës ka hedhur bazat e punës vullnetare dhe u shpreh optimist se do të vijojë më tej, në zona të tjera të kryeqytetit. “Me këtë projekt pilot kemi vendosur bazat, kemi mësuar çfarë funksionon e çfarë jo, si mund ta bëjmë më mirë, por fakti që njerëzit i janë kthyer vrapit, ecjes, daljes në natyrë, këndeve të lodrave, është diçka e mrekullueshme. Kur shikoj se si është transformuar ajo hapësirë te Liqeni, se si është kthyer në zonën më të vizituar sot në Tiranë, është kompliment për punën e të gjithëve. Në qoftë se rrjetin e vullnetarëve që ndihmojnë e shtrijmë edhe tek Pazari i Ri, në mjedise të tjera publike masive si sheshi “Skënderbej”, atëherë mund të japim edhe më shumë garanci për qytetarët”, – tha Veliaj.

Duke vlerësuar kontributin e të rinjve vullnetarë për komunitetin, kryebashkiaku shtoi se përtej asistencës direkte, kjo nismë ka krijuar edhe ndjenjën e sigurisë tek qytetarët. “Po të bëjmë një grup njerëzish që ndihmojnë, bashkëpunojnë, japin shembull, që drejton personalisht dhe nuk jep mend të tjerëve si bëhet gjëja, mund të bëjmë mrekulli. E kam parë mënyrën se si ka funksionuar projekti, edhe se si keni ndihmuar njerëz që mund të kenë qenë në raste vështirësie, por unë besoj se ndihma më e madhe ka qenë për ata njerëz që ndoshta s’kanë pasur nevojë, por vetëm fakti që ju kanë parë, u ka dhënë një ndjenjë sigurie, u kanë dhënë që kjo është një hapësirë e sigurt ku mund të kalosh kohë”, – nënvizoi Veliaj, teksa siguroi se kjo nismë e suksesshme do të vijojë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.

z.tosku /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.