Buxhetimi gjinor, takime intesive ndërgjegjësuese në Shkodër

68

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ – Bashkia e Shkodrës ka nisur takimet ndërgjegjësuese për rritjen e pjesëmarrjes së grave në proceset e buxhetimit.

Takimi i parë është zhvilluar në Njësinë Administrative Ana e Malit, ku e pranishme ishte kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Në fjalën e saj, por edhe gjatë bashkëbisedimit të hapur me gratë e pranishme, Ademi ka folur për dobinë e takimeve të tilla, ku vetë zonjat shprehin mendimet e tyre lidhur me prioritetet që ato vetë evidentojnë dhe që duhet të merren në konsideratë për mbështetje.

Synimi kryesor është ndërgjegjësimi i grave dhe pjesëmarrja e tyre në konsultimet publike duke prezantuar problematikën me të cilën ndeshen çdo ditë.

Në bashkinë e Shkodrës janë planifikuar 10 takime konsultuese, të cilat bazohen në analizën e nevojave. Ndërkaq, këto takime organizohen nga bashkia e Shkodrës në kuadër të konsultimit te buxhetit afatmesëm 2019-2021 dhe mbështeten nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” dhe UN Women.

/z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.