Braçe: Lojërat e fatit të shtetëzohen, 80% e xhiros nga bastet jashtë fiskalitetit

204

TIRANË, 11 tetor /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe kërkon kthimin në monopol shtetëror të lojërave të fatit.

“Dua ta duartrokas Qeverinë, Kryeministrin Rama, për vendimin që ka marrë për të larguar bastet nga qendrat e banuara, për t’i mbyllur fare, pa as më të voglin diskutim, ashtu siç kam ngritur këtu në këtë sallë shqetësimin se ligji aktual për lojërat e fatit në disa segmente të tij nuk është zbatuar”, – tha Braçe në seancën e sotme plenare.

Braçe thekson se bastet janë në 80% të xhiros së tyre jashtë fiskalitetit.

“Ajo që po ju them tani është: Shtetëzoni aktivitetin e lojërave të fatit. Kthejeni në monopol shtetëror dhe bëjeni që të mos kthehet në ndarje xhiroje pastaj nëpër bodrume apo në dhoma të tjera”, – deklaroi Braçe. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.