“Babale 1”, PD: Prokuroria i adresoi Policisë fabrikimin e provave

139

TIRANË, 11 tetor /ATSH – I. Vata/ – “Prokuroria ia ka adresuar Policisë së Fatmir Xhafajt të fabrikojë prova për të mbrojtur vëllain trafikant droge të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj”, – u shprehën në një konferencë për shtyp në selinë e PD-së, Enkeled Alibeaj dhe Gazment Bardhi.

Sipas deputetit të PD-së Alibeaj, “prokurori, nuk heton krimin e organizuar me mbështetje shtetërore, por denoncuesit; nuk arreston trafikantin e drogës, por përndjek gazetarin; nuk procedon penalisht Ministrin e Brendshëm që ka ndihmuar të vëllain t’i shpëtojë drejtësisë dhe të vijojë i qetë trafikun e drogës, por deputetët e opozitës që denoncojnë trafikun e drogës. Nuk zbulon prova për të gjetur të vërtetën, por fabrikon dhe falsifikon prova dhe dëshmitar”.

“Agron Xhafaj nuk u hetua kurrë, por u lejua të iki natën në Itali, sapo u publikua materiali audio që provonte se ai drejtonte trafikun e drogës në qytetin e Vlorës. Prokuroria nuk zbatoi dhe nuk hetoi sipas ligjit Antimafia pasurinë e trafikantit të drogës Agron Xhafaj dhe familjarëve të tij, përfshirë ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, siç ligji e detyron.

“Shqiptarët dëgjuan vetë se si ‘aktori’ jo vetëm nuk ishte vetofruar, por ishte gjetur, blerë e shantazhuar nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që e kishte paketuar të gatshëm e të përpunuar, natën, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ky ‘aktor’ ishte dërguar përpara prokurorit, pasi kishte takuar Taulant Ballën. Pra, aktori, që është prova e vetme e Prokurorisë në këtë çështje, është jo vetëm prodhim amator i Kryeministrit, por një akt mafioz i shtetit në shërbim të krimit të organizuar”, – shprehet Bardhi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.