Vetingu, KPK shkarkon kryetaren e Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti

TIRANË, 10 Tetor /ATSH/ -Kryetarja e Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti është shkarkuar sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Më 8 tetor Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i udhëhequr nga Firdes Shuli si kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Roland Ilia anëtar, mbajtën seancën dëgjimore për procesin e rivlerësimit kalimtar të kryetares së Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti.

Sipas hetimeve të bëra nga KPK gjyqtari i Korçës rezultonte se gjyqtarja nuk justifikonte një pjesë të pasurisë së saj.

Prifti është shortuar nga Komisioni për shkak të funksionit të saj në krye të Gjykatës së Apelit Korçë. Procesi i rivlerësimit për këtë subjekt është fokusuar tek kontrolli i pasurisë, një nga tre kriteret e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në këtë kontekst, KPK ka administruar raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe atë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi subjektin e rivlerësimit.

Sipas raportit të ILDKPKI, gjyqtarja Entela Prifti ka bërë deklarim jo të saktë, ka bërë deklarim të rremë, ka fshehje pasurie dhe mungesë burimesh financiare.

Për të vërtetuar të dhënat e paraqitura nga raporti i ILDKPKI dhe për të krijuar bindjen e brendshme mbi pasurinë e deklaruar të gjyqtares, KPK ka ndërmarrë një hetim të thelluar dhe të pavarur administrativ ndaj subjektit të rivlerësimit.

Si pjesë e këtij hetimi Komisioni ka marrë në shqyrtim pasuri të paluajtshme në pronësi të subjektit dhe bashkëshortit të saj Z.Petrit Tare, burimin e krijimi të këtyre pasurive, si dhe të ardhurat e personave të lidhur, duke filluar nga vjehrri Bajram Tare, e motra e gjyqtares, Çiljeta Prifti dhe bashkëshorti i saj.

Relatorja Çiftja deklaroi se subjekti kishte deklaruar në vitin 2012 blerjen e një apartament 55 m2 në Korçë me një vlerë prej 2.8 milionë lekë. Subjekti ka deklaruar se burim për këtë pasuri kanë qenë të ardhurat dhe para të dhuruara nga vjehrri në vlerën 1.6 milionë lekë. Për këtë dhuratë të vjehrrit Bajram Tare kanë shërbyer të ardhurat e tij nga pension në periudhën 1995-2000, dhënia me qira e një banese të vajzës së tij në SHBA, si dhe shitja e këtij apartamenti në vlerën 1.8 milionë lekë. Sipas KPK-së subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion për të justifikuar të ardhurat e vjehrrit në vlerën 1.8 milionë lekë.

Në deklaratën periodike të vitit 2005, subjekti ka deklaruar blerjen e një apartamenti 2+1 me sipërfaqe 70 m2 në qytetin e Korçës me vlerë 3.1 milionë lekë, me burim shitjen e një apartamenti të mëparshëm. Në deklaratën veting të vitit 2017, i njëjti apartament është deklaruar me vlerën 1 milionë lekë. Ndërkohë kontrata e shitblerjes së kësaj pasurie ka një çmim prej 1.9 milionë lekë.

Në vitin 2004 subjekti ka deklaruar shitjen në vlerën 450 mijë lekë të një automjeti të tipit Renault, të cilin e kishte blerë në vitin 2001 me vlerë 500 USD. Në një transaksion të ngjashëm subjekti ka blerë në vitin 2007 një automjet tip Benz me vlerë 500 mijë lekë, të cilin e ka shitur në vitin 2009 për një vlerë më të lartë të barabartë me 6 mijë euro.

Sipas relatores Çiftja në vitin 2014 gjyqtarja nuk ka deklaruar një transfertë ndaj të motrës Çiljeta Prifti në vlerë 900 mijë lekë. Subjekti gjithashtu është anëtare bordit mbikëqyrës së Shoqërisë së Kursim Kreditit ‘Korçarja’, ç’ka bie ndesh me pozicionin e saj si gjyqtare.

Më tej KPK ka marrë në shqyrtim një apartament dupleks me sipërfaqe 235 m2, të porositur në vitin 2001 dhe të paguar deri në vitin 2004 me vlerë 4 milionë lekë, ku përfshihet kosto e shitjes 2 milionë lekë, kontratë rikonstruksioni 1.3 milionë lekë dhe mobilimi. Kjo pasuri është blerë nëpërmjet një kredie nga banka FEFAD [tani Pro Credit] me vlerë 40 mijë marka gjermane. Sipas relatores Çiftja, subjekti nuk e ka deklaruar këtë pasuri në deklaratën periodike të vitit 2003, nuk ka dokumentacion për punimet e kryera nga kompania ‘Konstruksion 93’ me vlerë 1.6 milionë lekë dhe as kontratën e porosisë të vitit 2001. KPK nënvizon se vlera e tregut sipas çmimeve të entit të banesave për zonën nuk është 2 milionë lekë, por 7.3 milionë lekë.

KPK ka ndërmarrë një analizë financiare të të ardhurave familjare të subjektit në vitet 2001-2004, duke arritur në konkluzionin se ka një bilanc negativ financiar prej 6.8 milionë lekë. Ky bilanc negativ ngre dyshime mbi burimin e vendosjes së disa aseteve, ku përfshihen apartamenti, pronësia e bashkëshortit të subjektit të 8% të aksioneve të kompanisë ‘Beton Plus’ – e themeluar në vitin 2001, likuiditetet në bankë, si dhe të një trualli 10.000 m2 në fshatin Voskopojë.

Subjekti gjithashtu ka deklaruar pronësinë e një banese me sipërfaqe 193 m2 e blerë në vitin 2009, pronësia e të cilës është marrë në 2 forma, gjysma me kontratë dhurimi dhe gjysma kundrejt një vlere 4 milionë lekë. Sipas deklarimeve të subjektit për blerjen e kësaj banese kanë shërbyer dhurata e 1.9 milionë lekëve nga vjehrri Bajram Tare, të konvertuara nga bono thesari, shitja e automjetit Benz me vlerë 6 mijë euro, si dhe kursime nga paga e bashkëshortit.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.