STRASBURG – Parlamenti Europian njeh arritjet e Shqipërisë

STRASBURG, 10 tetor /ATSH/ – Komiteti për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Europian diskutoi dje projektraportin për Shqipërinë, i përpiluar nga eurodeputeti, Knut Fleckenstein.

Ky raport u mbështet nga të gjitha formacionet politike, shkruan balkaneu.com.

”Kjo reflektohet nga fakti se vetëm 23 amendamente u pranuan për këtë raport dhe ky është numri më i vogël i amendamenteve krahasuar me raportet e mëparshme për Shqipërinë dhe krahasuar gjithashtu me raportet për vendet e tjera të rajoanit”, thekson balkaneu.

Gjatë debatit, raporteri Knut Fleckenstein deklaroi se progresi i bërë deri tani për reformat e integrimit ishte pranuar dhe se duhet të vazhdojnë ende përpjekjet për zbatimin e tyre.

Fleckenstein theksoi progresin pozitiv të procesit të vetingut, por u kërkoi autoriteteve shqiptare vazhdimin e zbatimit të reformave në drejtësi dhe prodhimin e rezultateve konkrete kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkohë, edhe pse europarlamentari tjetër, Eduard Kukan njohu progresin e Shqipërisë, ai theksoi se krimi i organizuar dhe korrupsioni kërcënonin procesin e integrimit europian./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.