Reklamat për lojërat e fatit, reagon AKEP

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ – Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) njoftoi të mërkurën se ka nisur verifikimi dhe monitorimi i faqeve domain të cilat reklamojnë lojërat e fatit.

Në një njoftim për shtyp AKEP citon se, mbi verifikimin dhe bllokimin e faqeve domain me përmbajtje publiciteti mbi lojërat e fatit në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, në mbështetje të Ligjit “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” AKEP në bashkëpunim me Autoritetitn e Mediave Audioviziove ka kryer sot verifikimin e faqeve web në domain.al dhe nën domain-et.gov.al, .mil.al, .edu.al, .com.al, .org.al dhe .net.al dhe domaine të tjera (si p.sh.: .com, .net etj), të cilat përmbanin publicitet mbi lojërat e fatit në kundërshtim me Ligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Pas verifikimeve të kryera, grupi i punës në AKEP ka konstatuar se nga ana e medieve dhe portaleve online ka patur një veprim efikas në heqjen vullnetare të reklamave nga faqet e internetit deri në orën 17:00 të ditës së sotme, 10 tetor 2018.

Ndërkohë që AKEP në bashkëpunim me AMA dhe institucionet e tjera të përfshira do të vijojë monitorimin e zbatimit të legjislacionit në këtë fushë dhe do të bllokojë çdo domain, i cili do të tentojë të rikthehet në praktikën e shkeljes së ligjit në këtë drejtim.

/e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.