Projekti “Arkeologu i vogël” afron brezin e ri me historinë

TIRANË,10 tetor /ATSH/ – Projekti “Arkeologu i vogël”, këtë herë kishte protagonist nxënësit e shkollës publike “Kosova” të cilët vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar.

Fëmijët të shoqëruar edhe nga mësueset e tyre, si fillim bënë një guidë në muze. Ata u njohën imtësisht me Pavijonin e Lashtësisë dhe me objektet e zbuluara në vite prej ekspeditave arkeologjike.

Më pas nxënësit u drejtuan për në atrium ku zhvilluan pjesën tjetër të aktivitetit, që kishte të bënte me imitimin e gërmimeve dhe gjetjen e objekteve antike. Pas gërmimeve fëmijët vizatuan objektet të cilat i kishin gjetur vetë.

Qëllimi i këtij aktiviteti është që fëmijë të moshave të ndryshme të vijnë në muze dhe të njihen më nga afër me historinë e vendit tonë. Konkretisht, projekti në fjalë i njeh nxënësit me procesin e gërmimeve që bëjnë arkeologët gjatë ekspeditave të tyre në terren./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.