Parku kombëtar i Llogorasë, destinacioni i turistëve nga Gjermania

185

TIRANË, 10 tetor/ATSH/- Parku Kombëtar i Llogorasë në jug të qytetit të Vlorës, në një distancë prej 40 km, vazhdon të mbetet një nga destinacionet turistike mjaft të vizituara nga turistët, pavarësisht mbylljes së sezonit turistik.

Gjatë ditës së sotme një grup prej 30 turistësh të ardhur nga Gjermania, vizituan një nga shtigjet mjedisore brenda parkut “Shtegu i Qafës së thellë”.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë bën të ditur se “do vazhdojë punën e saj në mirëpritjen e turistëve, duke promovuar dhe duke dhënë jo vetëm informacione lidhur me parkun, por duke i shoqëruar kudo në mënyrë që ata të ngelen gjithmonë të kënaqur”.

Turistët gjermanë vizituan gjithashtu edhe qendrën e vizitorëve të Parkut Kombëtar Llogora, ku u njohën me historinë dhe arritjet e këtij parku.

Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj, që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore si ngjitje në lartësi, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.