FOTO/ Kantieret e Kulturës, specialistët inspektojnë katedralen e Shën Nikollit

TIRANË,10 tetor /ATSH/ – Kantieret e Kulturës çdo ditë po inspektohet nga specialistët dhe institucionet përkatëse për mirëmbajtjen dhe ecurinë e restaurimit të tyre.

Specialistët e DRKK Shkodër së fundmi kanë qënë të pranishëm në inspektimin e  punimeve për restaurimin e Katedrales së Shën Nikollit- Vendvarrimi i Heroit Kombëtar Skënderbeut, në qytetin e Lezhës, dhe punimeve konservuese të mureve rrethuese në pjesën breglumore të Lissusit.

Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga IMK dhe Ministria e Kulturës qëndron në punimet restauruese në këtë monument si dhe në muret e qytetit antik, në rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut.

Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tre harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut./a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.