Çdo zonë e mbrojtur mjedisore mbikëqyret nga Komiteti i Menaxhimit

137

TIRANË, 10 tetor /ATSH/- Komiteti i Menaxhimit është një strukturë mbikëqyrëse, me veprimtari jomenaxhuese, që ngrihet për çdo zonë të mbrojtur mjedisore dhe organizohet në nivel qarku, drejtohet nga prefekti, ose kur zonat e mbrojtura mjedisore (ZMM) përfshijnë disa qarqe, nga prefekti që ka sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura mjedisore.

Me propozim të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave miratoi sot kriteret dhe funksionet e Komitetit të Menaxhimit, i cili drejtohet nga prefekti, i cili është kryetar i tij dhe ka në përbërje: përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet e mjedisit, anëtar; nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM); përfaqësues nga bashkia/të dhe institucionet vendore që kanë lidhje direkt me planin e menaxhimit të zonës së mbrojtur mjedisore, konkretisht të: bujqësisë, turizmit, infrastrukturës dhe energjisë, ujërave, shkencës dhe arsimit, trashëgimisë kulturore dhe përfaqësues të shoqërisë civile mjedisore në nivel lokal.

Në rastet e zonave të mbrojtura mjedisore ndërkufitare, përfaqësues të administratës së zonës të mbrojtur janë anëtarë të sekretariatit teknik të përbashkët ndërkufitar, detyrat dhe përgjegjësitë e të cilit përcaktohen sipas marrëveshjes së përbashkët ndërkufitare përkatëse.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, prefekti i qarkut, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe AKZM-në, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, u kërkon drejtuesve të institucioneve publike të caktojnë zyrtarisht përfaqësuesit e tyre dhe miraton listën e përbërjes emërore të secilit komitet menaxhimi, sipas zonave të mbrojtura mjedisore.

Komiteti ka funksion mbikëqyrës për zbatimin e planeve të menaxhimit në çdo drejtim, në zonat e mbrojtura mjedisore. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.