Reforma zgjedhore, mazhoranca ka gati draftin e propozimeve

TIRANË, 9 Tetor /ATSH/-Mazhoranca ka përgatitur draftin përfundimtar bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR  për reformën zgjedhore.

Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Edi Rama gjatë një konference për mediat pas mbledhjes së qeverisë ku theksoi se “për hartimin e draftit të propozimeve është përfshirë edhe qeveria gjermane”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për mediat nga kryeministria pas mbledhjes së qeverisë se, “ne kemi një rekomandim në konkluzionet e Këshillit Europian. Një rekomandim, i cili është futur fillimisht në procesin e marrjes në konsideratë nga institucionet në Bruksel përmes grupit parlamentar të CDU/CSU që natyrisht ka marrë shqetësimin e shprehur nga Partia Demokratike lidhur me zgjedhjet dhe e kemi marrë shumë seriozisht edhe këtë rekomandim si të gjithë të tjerat. Është përfshirë në këtë proces qeveria gjermane përmes ambasadës së saj këtu, së bashku me dy fondacionet, Fondacioni social-demokrat dhe Fondacioni Konservator, Friedrich Ebert dhe Konrad Adenauer, me të cilët ne kemi punuar në mungesë të palës tjetër”.

Rama tha se “kemi gati draftin e propozimeve bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe plus kemi punuar për muaj të tërë për të eksploruar mundësinë e pilotimit të votimit dhe numërimit elektronik. Dhe për këtë jemi gati. Mjafton që pala tjetër të vijë dhe të pranojë të diskutojë dhe të biem dakord për të zbatuar në frymë dhe gërmë fije e për pe’ për të gjithë rekomandimet plus këtë. Çfarë mund të bëjmë më tepër?”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.