Pagesat e Hipotekës tani edhe nëpërmjet postës

TIRANË, 9 tetor /ATSH/- Nga sot qytetarët mund të kryejnë pagesat e Hipotekës edhe në zyrat postare, duke mos humbur kohë në radhë në filialet e bankave të përcaktuara për këtë qëllim.

Valdrin Pjetri, kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Drejtori i Postës Shqiptare, Laert Duraj, nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen, për ta ofruar këtë shërbim (pagesën) pranë Postës Shqiptare.

Marrëveshja citon se, “objekt i bashkëpunimit është kryerja e shërbimit financiar edhe në Filialet e Postës Shqiptare, krahas institucioneve bankare për llogari të ZVRPP-ve kundrejt tarifave në fuqi. Kontrata përcakton kushtet për arkëtimin nga klientët të faturave të lëshuara nga Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për llogari të këtyre të fundit”.

Kryeregjistruesi Pjetri u shpreh se, kjo marrëveshje, do të sjellë një shërbim të shtuar për qytetarët të cilët duan të marrin shërbimin e tyre pranë zyrave të tona të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ky është një bashkëpunim i frytshëm mes dy institucioneve tona që do të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve”.

Ndërsa drejtoi i Postës Shqiptare Duraj, falenderoi ZRPP për besimin që ky institucion shpreh ndaj shërbimeve që ofron Posta Shqiptare. “Ky është hapi i parë që Posta Shqiptare hedh bashkë me Hipotekën, ku në të ardhmen ky bashkëpunim do të përfshijë dhe shumë elementë të tjerë. Qëllimi ynë është përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Krahas shërbimeve të tjera që qytetarët gjejnë aktualisht pranë Postës Shqiptare, do të kenë mundësi të paguajnë dhe tarifat për Hipotekën. Është bërë një hap i madh drejt lehtësimit të procedurave”, tha ai.

Aktualisht zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ofrojnë 51 shërbime të ndryshme me tarifa që variojnë nga 200 në 25 mijë lekë, pagesa e të cilave kryhen në filiale të bankave të nivelit të dytë, por tashmë ato kryhen edhe me postë. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.