FOTO/ Shtegu i parë turistik, i markuar për ecjen në këmbë në Mirditë

199

TIRANË,9 tetor /ATSH/ – Bashkia Mirditë në bashkëpunim me Albania Austria Partnerschaft -Marianne Graf përuruan sot shtegun e parë turistik, i markuar me sinjalistikën më të avancuar dhe me standarte të larta europiane shtegun e parë (destinacion) në zonën e Rubikut.

Në mjediset e InfoKulla Mirdita, është organizuar dhe një takim informues me agjencitë turistike dhe sipërmarrje të ndryshme të fushës së turizmit, skuadrën e hiking Mirdita etj, ku përgjegjësi i këtij institucioni të turizmit në bashkinë Mirditë, Nik Nikolli, ka bërë një përshkrim në detaje të këtij shtegu, që nis me Marub-Piktogramet- Marianne Graf Point – Kalanë antike- Bulshizë-Kisha e Rubikut, për të përmbyllur rreth 7 km shtegtim me shkalle veshtiresie e lehte deri ne e moderuar, por tejet të pasur në anën panoramike dhe atë trashëgimore në histori dhe kulturë.

Kryetari i bashkisë Ndrec Dedaj, përshëndeti këtë nismë të parë të këtij lloji, që vjen në përputhje të plotë me strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të Bashkisë Mirditë. Ai tha se tashmë, nëse e kemi të pamundur të kthejmë krenarinë e industrisë së bakrit, kemi mundësinë tjetër të shfrytëzojmë potencialin e jashtëzakonshëm turistik që kemi. Ndaj këtë po bëjmë. E për këtë na është gjendur mikja jonë humaniste Marianne Graf, e cila me projektin e mrekullueshëm të InfoKullës, po na mundëson dhe një qasje të re, praktike dhe konkrete rreth zhvillimit turistik në territor. Ai tha se bashkia ka fituar dhe projektin për avancimin e markimit të shtigjeve me rreth 400 km nga RDPA, ndaj po synojmë inspirimin e atyre banorëve në fshatra, të cilët posedojnë kulla që t’i kthejnë në bujtina turistike, çka do të thotë më shumë prodhim vendas, më shumë vende pune me vetsipërrmarrje.

Humanistja Graf, tha se ndihet me zemër në këtë projekt, jo thjeshtë si qëllim në vetvete për turizmin, por për t’i bërë të ndërgjegjshëm njerëzit e këtyre zonave me aq shumë probleme ekonomike dhe jetësore, që në këtë vend me mrekulli natyrore e historike, resurse turistike dhe prodhimi, mund të jetohet shumë mirë. Kemi për qëllim që të ndikojmë në komunitete për zhvillimin social të tyre, uljen e papunësisë dhe rritjen e nivelit të jetesës. Të gjithë bashkë mund ta bëjmë këtë gjë, ishte apeli i fortë i Zonjës Graf.

Më pas vetë kryebashkiaku Dedaj dhe zonja Graf, kanë prirë me ecjen e tyre në këmbë në përurimin e shtegut të parë “RUBIK 1”, për të ecur mbi 7 km nga EkoMarub – Piktogramet- Marianne Graf Point-Kalaja Antike- Bulshizë-Kisha e Rubikut.

Nëpër stacione të ndryshme zonja Graf  ka shpjeguar punën që është bërë, vështirësitë që janë ndeshur por dhe tejkalimin e tyre përmes një skuadre të përpiktë ndërtuesish vendorë. Këtu janë përdorur metodat më të avancuara të markimit të shtigjeve, ndaj ky shteg është tepër i sigurtë për vizitorët vendas apo të huaj.

Kryebashkiaku Dedaj dhe Graf, e kanë cilësuar këtë ecje dhe grupin e këtij shtegtimi si skuadra e parë e hiking Mirdita Club, i cili do të shtohet në të ardhmen me nxënës shkollash dhe të apasionuarit e ecjes në natyrë, ndërkohë që shtigje të tilla po bëhen joshëse dhe për ekipe ndërkombëtare shtegtuesish, kësisoj viti 2019 do të jetë dhe viti i ardhjes intensive të turistëve të huaj dhe të vendit në këtë zonë dhe në shtigje të tjera të markuara nëpër Mirditë./a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.