FOTO/ Berati, përkujdesje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

TIRANË,9 tetor /ATSH/ – Vijojnë punimet e restaurimit në kishën e Shën Nikollës pranë kishës së Shën Mëri Evangjelizmoit, në lagjen Kala,Berat.

Pas zbërthimit të çatisë, e cila ishte mjaft e degraduar, janë duke u kryer nivelime me mur guri, në muret perimetrale të kishës si dhe qepje të murit të gurit nga ana jugore e kishës.

Më pas do të vendosen breza druri mbi kreun e murit, si nga jugu, ashtu edhe nga veriu dhe do të fillohet të ndërtohet çatia e kishës, e tipit kapriat druri, sipas teknikës së vjetër të realizimit të saj.

Ky projekt i hap rrugën tashmë zbatimit të punimeve të restaurimit me specialistët e ateliesë duke restauruar plotësisht këtë monument kulture.

Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Qyteti i Beratit në vitin 1961 u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.