Foto/ Akademia e “100 fshatrave”, ndalesë në Libofshë, Pojan e Cakran

209

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Anëtarët e “Akademisë 100+ fshatrat” u ndalën në Libofshë, Pojan dhe Cakran, tre fshatrat e përzgjedhur në Bashkinë e Fierit, në kuadër të programit “100 fshatrat”.

Evidentimi i potencialeve që ofrojnë këto fshatra dhe hartimi i projekteve konkrete zhvillimore për nxitjen e këtyre potencialeve ishte në fokus të vëmendjen se anëtarëve të Akademisë “100 fshatrat”.

Bukuritë fantastike natyrore dhe trashëgimia e këtyre zonave vijnë përmes fotove të anëtarëve të “Akademisë 100+ fshatrat”, që këto ditë kanë vizituar nga afër këto zona.

Qeveria shqiptare ka shpallur nismën e saj “Programi i Integruar për Zhvillimin Rural-Programi i 100 fshatrave”, i cili do të jetësohet në periudhën 2018-2020.

Ky program synon të koordinojë ndërhyrjet në hapësirën rurale me një qasje ndërsektoriale, duke alternuar investimet publike me donatorët dhe investimet private.

Potencialet që ofrojnë 3 fshatrat e përzgjedhur

Pojani, Libofsha dhe Cakrani, kanë potenciale natyrore e kulturore me karakteristika të veçanta që përbëjnë një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj.

Kanë mundësi për maksimizimin e potencialeve të territorit, duke zhvilluar agro-turizmin si aktivitet ekonomik dhe një sërë aktivitetesh turistike të diversifikuara.

Po ashtu, kanë tashmë të ngritur aktivitete tradicionale të ekonomisë rurale si, prodhime ushqimore, artizanale, eno-gastronomi etj, të njohura në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar.

Këto fshatra, kanë ndërlidhje dhe akses rrugor të lehtësuar me zonat e tjera përreth, si dhe janë zona me shtrirje relativisht të madhe në territor, krahasuar me zona të tjera të bashkisë.

Ndaj, ato ofrojnë mundësi për të zhvilluar e zgjeruar aktivitete ekonomike nëpërmjet sigurimit nga njëra anë të aksesit të përmirësuar në shërbime (ujë, energji, transport), si dhe në produktet tipike lokale, duke zhvilluar tregjet ekzistuese dhe krijuar tregje të reja për të plotësuar zinxhirin e vlerave./m.m/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.