FMN zgjeron parashikimet, rritja ekonomike 4% deri në fund të vitit

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rritur parashikimin për zgjerimin e ekonomisë shqiptare në vitin 2018, nga 3.7% në 4%, që vlerësohet ritmi më i lartë i rritjes ekonomike që prej vitit 2008.

Në raportin e publikuar së fundi mbi “Pasqyrën ekonomike globale” tetor 2018, Fondi pret që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë 4% këtë vit, nga 3.7% që kishte parashikuar në raportin e muajit prill (raporti publikohet dy herë në vit).

Në raport me shtetet e tjera të rajonit, Shqipëria pritet të jetë ndër vendet që do të kenë zgjerim më të përshpejtuar ekonomik, më mirë se Bosnja (3.2%), Bullgaria (3.6%), Kroacia (2.8), Serbia (3.5), Mali i Zi (3.7%) dhe njësoj me Kosovën dhe Serbinë.

Sipas FMN-së, inflacioni pritet të rritet gradualisht, nga 2.5% në 2018-n, në 2.9% në 2023, duke iu afruar objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet gradualisht në 6.2% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2023, nga 7.1% e PBB-së që ishte në fund të 2017-s.

Pak ditë më parë edhe Banka Botërore bëri publike pritshmëritë pozitive për rritjen e ekonomisë shqiptare në 4% deri në fund të vitit 2018.

Vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare janë në koherencë të plotë me statistikat e INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë, që monitorojnë dhe raportojnë për tregues në rritje të ekonomisë, në të njëjtat shifra si institucionet ndërkombëtare. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.