DPT: Tatimpaguesit të përditësojnë të dhënat e tyre deri më 22 tetor 2018

TIRANË, 9 tetor /ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, (DPT) me qëllim përmirësimin e komunikimit, fton të gjithë tatimpaguesit që të përditësojnë të dhënat e tyre të kontaktit (telefon, adresë, e-mail) në llogarinë e deklarimit elektronik deri në datë 22 tetor 2018.

DPT synon informimin korrekt dhe të vazhdueshëm të tatimpaguesve, në mënyrë që ata të njihen me legjislacionin tatimor, deklarimet elektronike, si dhe shërbimet e reja që ofrohen nga Administrata Tatimore.

Për të përditësuar kontaktet, tatimpaguesit duhet të ndjekin këto hapa të thjeshtë:

  • Pasi të keni hyrë me anë të të dhënave tuaja në llogarinë e-Filing, përmes faqes zyrtare tatime.gov.al klikoni në menunë e-Filing im.
  • Në rubrikën “Informacioni i Përgjithshëm i Tatimpaguesit”, klikoni butonin “Ndrysho të dhënat e kontaktit”.
  • Pasi të keni vendosur të dhënat e reja/të përditësuara (numri i telefonit, adresa, e-mail-i) klikoni butonin “Ruaj”.

Tatimpaguesit kanë mundësi të përditësojnë të dhënat e tyre në e-Filing, sa herë që i ndryshojnë ato, njofton DPT. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.