Basha: Përgjimi i ”Babales” i vërtetë, zëri është i Agron Xhafës

TIRANË, 9 tetor /ATSH/- Kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë një konference për shtyp me gazetaret foli për çështjen e ”Babales”.

Basha tha sot se ”asnjë fakt nuk ka ndryshuar, faktet janë ato që kemi deklaruar që në fillim. Video është e pa manipuluar dhe zëri në këtë video është i Agron Xhafës. Agron Xhafaj ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës në Vlorë. Dhe një nga kokat e trafikut të drogës në Vlorë. Pra dua të përsëris edhe një herë se regjistrimi është i vërtetë. Zëri është i Agron Xhafës. Sado që të manipulojnë hetimet nuk do ja dalin dot”.

”Prokuroria ka çuar në Angli një nga kopjet e marrë nga mediat. Kampionet e zërit të Agron Xhafës janë të dobët dhe kjo është bërë me qëllim. Ekspertiza angleze nuk e mohon që mund të jetë zëri i Agron Xhafës. Po pres që prokuroria të marrë në pyetje Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën pasi dolën dy ditë pas publikimit të videos së përgjimit dhe thane që video nuk është autentike”

Basha foli edhe për reformën zgjedhore dhe tha se maxhoranca po e zvarrit qëllimisht reformën zgjedhore.

”Sot maxhoranca ka marrë një vendim për të varrosur reformën zgjedhore. Kjo maxhorancë po zvarrit votimin elektronik. Ne i qëndruam besnik konsensusit të reformës zgjedhore për amendamentet e propozuara nga ekspertet e BE. Spiralja ku e ka future Edi Rama reformën zgjedhore kërkon të shkatërrojë zgjedhjet”.

Kreu i PD adresoi disa akuza edhe në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

‘’Kjo është një situatë që është përkeqësuar me ritme të shpjeta. Me kapjen e prokurorisë nga qeveria nën drejtimin e Arta Markut, duke e vene në shërbim të pushtetit. Prokuroria është shpartalluar me vënien e Donika Prelës në krye të prokurorisë së krimeve të rënda.  Arta Marku dhe Donika Prela e prokurorë të inkriminuar në prokurorinë e krimeve të rënda po mbyllin hetimet për politikanët që kanë lidhje me krimin e organizuar. Gjendja ku ndodhet vendi është në emergjencë kombëtare. Sot nuk kemi vetëm krimin që pret dhe vret por kemi dhe policinë dhe prokurorinë. Prokuroria krimeve të rënda është kthyer në një celulë kriminale e cila po shkatërron hetime, manipulon provat, nga rasti i Xhiselës te ai i Xhafes, Ballës e të tjerë, dhe kjo përbën një vepër penale edhe për prokurorët”. o/l/.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.