Zyra e Komisionerit, pjesëmarrëse aktive në procesin e reformimit të ICDPPC

TIRANË, 8 tetor /ATSH – I. Vata/ – Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pjesëmarrëse aktive në procesin e reformimit të ICDPPC.

“Në edicionin e 39-të të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC), të zhvilluar vitin e kaluar, u vendos nisja e procesit për reformimin e këtij forumi. Për këtë qëllim u ngrit një grup i posaçëm pune, me synimin për të përcaktuar qartë të ardhmen e identitetit dhe misionit të këtij Forumi”, shprehet Komisioneri.

Po ashtu bëhet e ditur se “diskutimet kanë shqyrtuar formatin dhe strukturën e Konferencës; rolin e Komitetit Ekzekutiv; funksionet dhe financimin e Sekretariatit; përditësimin e rregullave/procedurave në lidhje me anëtarësimin, përfaqësimin dhe diversitetin; marrëdhëniet me aktorë të jashtëm; promovimin e nismave të ndryshme dhe komunikimit”.

Gjithashtu Komisioneri shpjegon se “konsultimet u zhvilluan me të gjitha rrjetet ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave. Propozimet konkrete janë strukturuar në disa projektdokumente. Një prej tyre është projektrezoluta mbi “Udhërrëfyesin për të Ardhmen e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë”, ku Zyra e Komisionerit ka dhënë kontributin e saj të drejtpërdrejtë si bashkë-hartuese me autoritetet homologe të Kanadasë, Francës, Polonisë, Zvicrës, Argjentinës, Burkina-Fasos dhe Beninit”.

“Shqyrtimi i këtyre dokumenteve do të bëhet gjatë punimeve të sesionit të mbyllur në edicionin e 40-të të Forumit, i cili zhvillohet në Bruksel, në fund të këtij muaji”, thekson Komisioneri.

“Forcimi i statusit të ICDPPC, si një platformë e efektshme dhe unike për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndikuese në hartimin e politikave në këtë fushë, do të rrisë diversitetin, hapjen dhe transparencën e saj, për ta shndërruar atë në një organizatë sa më të efektshme. Zyra e Komisionerit është përzgjedhur si organizatore e edicionit të 41-të të Konferencës Ndërkombëtare, që do të zhvillohet në Tiranë, në tetor 2019. Përgatitjet për realizimin e saj po vijojnë me koordinimin dhe mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv”, shprehet Komisioneri. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.