Gjirokastër/ Ankesat për shtrimin e rrjetit 20 kV, prefekti inspekton punimet

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ – Pas ankesave të ardhura nga banorët e lagjeve “Manalat” dhe “Zinxhiras” në qytetin e Gjirokastrës për moskryerje siç duhet të punimeve nga firma private për shtrimin e rrjetit elektrik 20 kV, ka sjellë reagimin e prefektit të këtij qarku.

Prefekti i qarkut të Gjirokastrës ka organizuar një takim ku morën pjesë përfaqësues nga bashkia, drejtori i OSHEE-së dega Gjirokastër si dhe administratori i firmës “Çaushi” sh.p.k., Enver Çaushi.

Nga inspektimi i punimeve u konstatuan disa mangësi dhe defekte në punën e firmës sipërmarrëse si:

  1. Asfalti i hedhur në disa segmente në aspektin vizual ishte i cilësisë jo të mirë, kjo për faktin se gjatë shkeljes thërrmohej.
  2. Hedhja dhe nivelimi i shtresës së asfaltit nuk përmbushte kushtet teknike të zbatimit.
  3. Në disa pjesë të rrugës mungonin elementët e betonit, si edhe kuneta e rrugës që firma e kishte për detyrë t’i plotësonte.

Në këtë takim u diskutua lidhur mbi realizimin e punimeve nga ana e firmës si dhe plotësimin e kushteve teknike të zbatimit të këtyre punimeve. Në këtë kontekst firma mori përsipër të realizojë të gjitha detyrimet e parashikuara në kontratën e bërë me investitorin. Gjithashtu, për shqetësimet e krijuara në komunitet për sa i përket cilësisë së dobët të punimeve, firma “Çaushi” sh.p.k do të kryejë riparimet e duhura brenda një kohe shumë të shkurtër dhe do ta kthejë objektin në gjendjen e mëparshme.

Në përfundim të këtij takimi, Prefekti i qarkut kërkoi mobilizim dhe bashkëpunim më të mirë të firmës me komunitetin dhe me organet e vetëqeverisjes vendore, për një mbarëvajtje më cilësore të punës deri në përfundimin e plotë të projektit. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.