FOTO- Berat, rehabilitohen kullat e kalasë

185

TIRANË, 8 tetor/ATSH/- Monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike të Shqipërisë kanë zgjuar interesin e një numri të lartë turistësh gjatë këtij viti, të cilët janë kureshtarë të mësojnë për historinë dhe kulturën e vendit tonë.

Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve, ashtu si në fillim të sezonit, por edhe tani që është në prag të përfundimit të tij, vazhdon të jetë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat bën të ditur se “po vijon puna në muret e kullave të kalasë së Beratit. Tek kullat 2 dhe 3 u krye procesi i pastrimit nga bimësia (e ulët dhe e lartë) dhe mbeturinat e hedhura brenda tyre”.

“Gjithashtu u konsolidua kreu i murit në kurtinat midis kullave 2-3 dhe 3-4, në vet kullat si dhe u restauruan hapësirat e harkuara të fërngjive në kullën nr.3. Punimet e konservimit dhe restaurimit janë duke vazhduar në kullat 4-5, 5-6 dhe kurtinat midis tyre. Në këto kulla dhe kurtina përveç punimeve të pastrimit dhe konsolidimit të mureve është duke u kryer edhe restaurim i disa prej bedenave, si dhe plotësimi me mur guri të zgavrimeve që ndodhen në kurtina”, thekson DRKK, Berat.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum.

Ndodhet në pikën më të lartë të qendrës historike dhe është nga të paktat monumente të periudhës mesjetare në Shqipëri që vazhdon edhe sot të ketë një jetë intensive brenda mureve të saj rrethues.

Pamjen e sotme arkitektonike dhe urbanistike, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, kalaja e mori gjatë shekujve XVIII-XIX.

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet turistike më të vizituara ku çdo vit e më shumë tërheq vëmendjen e turistëve të huaj dhe shqiptar ,ku vetëm për muajin shtator të këtij viti arriti shifrën prej 15,548 vizitore duke e çuar numrin e vizitorëve për periudhën janar – shtator 2018 në 110,481 vizitorë vendas dhe të huaj, statistikë kjo e cila shpreh më së miri interesin në rritje për turizmin dhe trashëgiminë kulturore./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.