EuroBirdwatch 2018, unazohen shpendët shtegtarë

110

TIRANË, 8 tetor/ATSH/- Në Lagunën e Nartës, të Orikumit dhe gadishullit të Orikumit ka nisur vëzhgimin, numërimin dhe unazimin e shpendëve shtegtarë.

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) së bashku me vullnetarë, dashamirës të shpendëve, kafshëve të egra dhe natyrës organizuan ditët e fundit aktivitete për të festuar EuroBirdwatch 2018 në Shqipëri në 25 vjetorin e krijimit të tij.

Për të katërtin vit radhazi, AOS organizon ngjarjen e rëndësishme të EuroBirdwatch përmes kryerjes së numërimit të përbashkët të shpendëve migrues në korridoret më të rëndësishme në Shqipëri, me mbështetjen e projektit të financuar nga Bashkimi Europoian, NaturAl.

Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit aktivitetet u zhvilluan në katër vende të ndryshme: Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, Kriporet e Nartës, Laguna e Orikumit dhe Gadishulli i Karaburunit.

Gjatë këtyre aktiviteteve u vizitua kampi i unazimit të shpendëve të organizuar nga partnerët Hungarezë të AOS në Orikum, si dhe u bë numërimi dhe monitorimi i shpendëve migrues, që kalojnë përmes gadishullit të Karaburunit.

Aktivitetet synojnë të rrisin ndërgjegjësimin mbi nevojën për të mbrojtur shpendët migrues, zonat e tyre folezuese, veçanërisht habitatet e tyre si dhe rrugët e shtegtimit, ndaj duhet sjellë rëndësia e tyre ekologjike në vëmendjen kolektive.

Laguna e Orikumit, kallamishteve dhe zona përreth saj është një vendqëndrim shumë i veçantë për shpendët në rrugën e gjatë të shtegtimit. Rezultatet e para janë surprizuese, kryesisht rreth unazimit të Dallëndyshes së natës (Caprimulgus europaeus) në marina dhe shkurreta. Mbi 70 individë të Dallëndyshes së natës janë unazuar dhe lëshuar përsëri në natyrë.

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) po implementon gjithashtu edhe projektin ” Luftimi i gjuetisë dhe kapjes së paligjshme të shpendëve në Shqipëri’, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, çka ndikon pozitivisht ne popullatat e shpendëve./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.