Bashkia Shkodër: Zaptuesit e hapësirave publike do të ndëshkohen me ligj

TIRANË, 8 tetor /ATSH – I. Vata/ – Bashkia Shkodër iu drejtohet banorëve të Shkodrës, biznesmenëve të vegjël dhe ambulantëve, përdoruesve të rrugës, të cilët kanë zënë hapësirat publike duke krijuar pasiguri në rrugë apo që cënojnë rregullat, do të ndëshkohen me ligj.

Në një njoftim, bashkia Shkodër shprehet se “nisur nga fakti se banorët e qytetit të Shkodrës, turistë vendas dhe të huaj, janë ankuar dhe ankohen pranë Bashkisë dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, se subjektet private të biznesit të vogël dhe atyre ambulantë që ushtrojnë aktivitet tregtar: kanë zaptuar në kundërshtim me ligjin hapësirat publike – kryesisht trotuaret, kryejnë shitjen/tregtimin e produkteve bujqësore, blegtorale e industriale në kushte të papërshtatshme higjienike”.

“Po kështu, shërbimi i transportit të udhëtarëve që lidh qytetin me zonat urbane dhe rurale krijon kaos, si rrjedhojë e qëndrimit të mjeteve jo në vendet e përcaktuara nga bashkia, por në rrethrrotullime dhe sheshe të qytetit, parkimi i mjeteve në korsitë e biçikletave, zënia e shëtitoreve nga objekte të ndryshme (vazo lulesh, çadra, karrike, tavolina etj.) kryesisht nga lokalet, mbyllja apo zënia e vendkalimeve të personave me aftësi të kufizuar, përbëjnë shqetësim dhe pengesë për lëvizjen e lirë të kalimtarëve, duke krijuar pasiguri rrugore e ushqimore, e për pasojë shkelje të normave e ligjeve të ndëshkueshme sipas sanksioneve”, shton Bashkia.

Bashkia kërkon që përmes këtij njoftimi të sensibilizojë të gjithë banorët. “Nëse do të cenohen rregullat, do të veprohet me forcën e zbatimin e ligjit”, thekson Bashkia.

“Duke filluar nga data 09.10.2018 dhe në vazhdim do të angazhohen punonjës të Policisë Bashkiake, të Inspektoriatit të Mjedisit, të AKU dhe Policisë së Shtetit për të liruar të gjitha vendet dhe hapësirat publike të bllokuara nga subjektet tregtare, të cilat do të ndëshkohen në bazë të ligjit”, shprehet Bashkia. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.