Basha: Rama i zhytur në artin e telenovelave, shfaqje bajate me krimin

TIRANË, 8 tetor /ATSH – I. Vata/ – “Kryeministri është zhytur në artin e telenovelave: shkruan, dirigjon, interpreton dhe ju servir shqiptarëve përditë nga një shfaqje bajate, ku kriminelët janë heronj dhe ku krimi është virtyt”, deklaroi sot Kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Në një deklaratë për mediet, kryetari i PD-së Basha shprehet se “Shqipëria nuk ka më kryeministër. Shqiptarët nuk kanë më qeveri që mendon e punon për ta dhe hallet e tyre. Në vend të sigurisë, punësimit e mirëqenies, tani e tutje shqiptarët do të kenë vetëm telenovela. Ndërkohë qeveria, policia dhe prokuroria punojnë çdo ditë për t’i garantuar sigurinë, qetësinë, dhe paratë kriminelëve. Sepse Kryeministri mendon dhe vepron vetëm për të mbrojtur kriminelët. Ndaj çirret e betohet nga mëngjesi në darkë për të mbrojtur Tahirin, Xhafajan, Ballën, Rrajen, Çyrbjen, Gjushin, e kriminelët e lidhur me ta”, u shpreh ai.

Po ashtu, Basha shton se “Edi Rama nuk është më kryeministër, por vetëm një dordolec që krimi e tund përditë në publik për të kërcënuar dhe trembur shqiptarët. Por shqiptarët nuk tremben. Unë as trembem dhe as shantazhohem. Sepse nuk jam peng i krimit. Sepse kurrë nuk më ka lidhur asgjë me kriminelët”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.