“Autobusi mjedisor” synon të ndërgjegjësojë të rinjtë për mjedisin

120

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Mëngjesin e së hënës në një shkollë 9-vjeçare u zhvillua aktiviteti “Autobusi mjedisor”.

Kjo nismë ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për mjedisin e tyre natyror, për t’i mësuar dhe për t’i inkurajuar ata që ta trajtojnë natyrën me respekt. Puna konceptuale mbi përmbajtjen, si dhe për blerjen dhe pajisjen e autobusit, u mbështet nga Qeveria Federale Gjermane.

Ambasadorja Schütz, e cila mori pjesë në këtë aktivitet u shpreh gjatë ceremonisë së hapjes se “autobusi mjedisor është projektuar për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve për mjedisin e tyre natyror, për t’i mësuar dhe për t’i inkurajuar ata që ta trajtojnë natyrën me respekt”. Sikurse mund ta shihni, autobusi është pagëzuar tashmë nga mësuesit me emrin “FiKiBo”, që do të thotë Fizikë-Kimi-Biologji, deklaroi ambasadorja Gjermane.

Së shpejti ky aktivitet do të shtrihet në të gjithë vendin, nëpërmjet një turi që do të zhvillohet në shkollat shqiptare.

Ndoshta autobusi i ri mjedisor do të vijë së shpejti edhe në qytetin tënd! Autobusi është i mbushur me informacione mbi mjedisin, natyrën dhe klimën, dhe synon të edukojë nxënësit në të gjithë vendin rreth mjedisit të tyre natyror. /o.l/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.