Pas 25 vitesh pastrohen kanalet kulluese në Buçimas, Pogradec

301

TIRANË, 7 tetor/ATSH/- Bashkia e Pogradecit ka nisur punën për pastrimin e kanaleve kulluese në Njësinë Administrative Buçimas, pas 25 vitesh mungesë në të.

Në kuadër të aksionit të ndërmarrë për parandalimin e përmbytjeve gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit në këtë njësi u pastruan mbi 600 metër linear kanale kulluese të dyta dhe të treta.

Në këtë aksion janë përfshirë punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Bujqësisë në Bashkinë Pogradec.

Me nisjen e shirave Bashkia Pogradec është në gatishmëri të plotë për parandalimin e përmbytjeve, ajo ka marrë privatisht edhe disa eskavatorë të tjerë për pastrimin e kanaleve kulluese.

Këto kanale kulluese, ndikojnë direkt në prodhimtarinë e tokës,por edhe në kullimin e shpejtë të tyre pas reshjeve të shiut pavarësisht intensitetit.

Kanalet kulluese që po pastrohen në Njësinë Administrative Buçimas janë nga fshati Starove, Zagorçan, deri në Tushemisht.

Edhe pse këto kanale kulluese kanë 25 vjet pa u pastruar, Bashkia Pogradec me fondet e saj do të mundohet të përmirësojë jetën e fermerëve në rrethin e Pogradecit./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.