”… të etur për një dorë shpëtimi”, reportazhi i ATSH-së fitues i çmimit të AMAN

TIRANË, 6 tetor/ATSH/- Shkrimi  ”… të etur për një dorë shpëtimi” i gazetares së Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Zina Tosku, kushtuar misionit ndërkombëtar të NATO-s për shpëtimin e migrantëve në det, ku mori pjesë edhe Shqipëria me anijen e flotës ushtarake ”Oriku”, është vlerësuar me çmim nga Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN).

Shkrimi  i botuar në 29 nëntor të 2017 u vlerësua për mënyrën e trajtimit të reportazhit mbi temën e refugjatëve, ku në qendër ishte historia e shpëtimit të një foshnje 2 muajsh nga forcat detare shqiptare në operacionin e NATO, mes qindrave refugjatëve që rrezikuan të mbyteshin në ujërat e Egjeut.

Anija shqiptare “Oriku”, me kapitenin e rangut III, Silvan Boni ndodhej në një patrullim të rastësishëm. Pas evidentimit të fundosjes së gomones dhe klithmave të refugjatëve për ndihmë, nga ujërat e Egjeut ekuipazhi shqiptar sinjalizoi efektivat greke dhe turke, që mbërritën menjëherë në vendngjarje. Në gomone ishin 51 refugjatë, nga të cilët 29 burra, 10 gra dhe 12 fëmijë.

Në një rrëfim ekskluziv për gazetaren e ATSH-së, togerja e parë shqiptare Aurela Bala përshkroi ngjarjen sesi u shpëtua foshnja 2 muajshe nga rreziku i mbytjes në det. Kriza e refugjatëve u trajtua në shkrim jo vetëm si problem i Lindjes së Mesme apo i Afrikës, por edhe i Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

‘Në total, pas afro një vit qëndrimi në detin Egje, anija e Flotës Luftarake Shqiptare “Oriku” shpëtoi 1 000 jetë njerëzish. Misioni ishte tepër i veçantë për këtë ekuipazh,  që ka qenë pjesë e misionit “Sea Guardian”.

Anëtarë të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) janë agjenci të njohura si AFP, ANSA, ANA, MENA, EFE e tjerë, ndërkohë që me status vëzhguesi janë organizata të tjera të njohura si ajo e agjencive ballkanike, ABNA dhe e Detit të Zi, BSANNA.

Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), vlerësoi kontributin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare për pasqyrimin e lajmeve nga Shqipëria, si edhe shërbimin e saj fotografik dërguar kësaj organizate, në konferencën e zhvilluar në Sunio (Greqi), më 2-3 tetor.

Shkrimin e plotë mund ta klikoni në: http://arkiva.ata.gov.al:8080/te-etur-per-nje-dore-shpetimi/

Pak mbi gazetaren Zina Tosku…

Zina Tosku e ka nisur punën si gazetare pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare në shkurt të 2014. E renditur e para në Republikën e Shqipërisë për degën gazetari-komunikimi, ajo nisi studimet pranë Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, duke përfunduar ato me rezultate të larta. Ndërkaq, ajo diplomohet me rezultate të arrira në master-shkencor për marrëdhënie me publikun në Universitetin e Tiranës.  E angazhuar dhe e apasionuar pas raportimit të lajmit, që në fillimet e saj, Zina tregoi seriozitetin e duhur në punën e saj si gazetare. Për herë të parë,  ajo realizoi edhe historikun e Agjencisë Telegrafike Shqiptare duke studiuar materiale dhe dokumente të gati 100 viteve më parë, pranë Arkivit Qendror Shtetëror.  Shkrimi i këtij historiku u realizua edhe duke siguruar intervista ekskluzive nga ish punonjësit e ATSH-së, të para 60 viteve përballë fakteve e dokumenteve me vlerë të gjendura pranë Arkivit Qendror Shtetëror.

Gjithashtu, gazetarja e ATSH-së njihet për ndjeshmërinë e saj ndaj çështjeve gjinore, duke dhënë edhe kontributin e saj në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme të Tiranës për parandalimin e dhunës. Zina Tosku ka kryer një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.