Bienalja e Venecias 2019- Zeneli dhe Muja përfaqësojnë Shqipërinë dhe Kosovën

TIRANË, 6 tetor/ATSH/- Artisti Driant Zeneli dhe Alban Muja do të përfaqësojnë Shqipërinë dhe Kosovën në Bienalen e Venecias, që do të mbahet nga 11 maji deri më 24 nëntor të 2019.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, thotë se “Shqipëria dhe Kosova, në Bienalen e Venecias 2019, të përfaqësuar nga artistët Driant Zeneli dhe Alban Muja”.

Driant Zeneli do të jetë artisti që do të përfaqësojë pavijonin e Shqipërisë në Ekspozitën e 58-të Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia – me projektin me titull “Maybe the cosmos is not so extraordinary” (Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm).
Projekti do të prezantohet nën kurimin e Alicia Knock, kuratore në Qendrën “Pompidou” në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris. Titulli merr shkas nga romani fantastiko-shkencor i autorit shqiptar Arion Hysenbegas, “Drejt Epsilonit të Eridanit”, i botuar në vitin 1983 (ribotuar i plotë në vitin 2018). Driant Zeneli (lindur në Shkodër, 1983), jeton dhe punon mes Tiranës dhe Milanos.

Artisti Alban Muja, i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emër i afirmuar edhe në skenën botërore të artit. Puna e Mujës është ekspozuar gjerësisht në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita grupore dhe solo./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.