Sektorët e lidhur me turizmin u zgjeruan me 785 milionë euro

Turizmi shënoi rritje dyshifrore. Fluksi i vizitorëve të huaj pritet të arrijë në 10 milionë 

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ – Turizmi shqiptar gjatë vitit 2018 shënoi rritje dyshifrore. 

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u shpreh sot se vetëm në muajin gusht 2018 numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë arriti në 1 milion e 449 mijë turistë, me një rritje prej 26.9%, krahasuar me muajin gusht 2017.

Ndërsa si 8-mujor, numri i vizitorëve arriti në mbi 4 milionë e 397 mijë me një rritje 17% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Besoj, – tha Ahmetaj, – se rritja e numrit të turistëve do të vijojë me trendin dyshifror duke na bërë optimistplotë, që në vitin 2022 numri i vizitorëve të huaj në vendin tonë të arrijë në 10 milionë turistë.

Ministri tha se, “këtë vit sektori i shërbimeve të lidhur me turizmit u zgjerua me 785 milionë euro. Ndërsa eksportet në përgjithësi po diversifikohen dhe po rriten në nivele dyshifrore. /e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.