OSBE: Partitë politike të gjejnë konsensus për reformën zgjedhore

TIRANË, 5 tetor/ATSH/- Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, theksoi sot se “mbetet shumë pak kohë për realizimin e reformës zgjedhore dhe se do të ishte sinjal shumë negativ për miqtë dhe partnerët e Shqipërisë nëse dakordësia, që ka ekzistuar deri kohët e fundit mes palëve, të mos konkretizohej në legjislacion”.

Në një intervistë televizive, Borchardt theksoi se “masat për reformën zgjedhore, të duhet të ishin marrë prej kohësh, ende nuk janë përkthyer në ligj dhe kjo gjë duhet të ndodhë”.
“E them këtë, pasi, sipas praktikës më të mirë ndërkombëtare, reforma zgjedhore duhet realizuar një vit përpara zgjedhjeve të radhës, ose e shumta, gjashtë muaj përpara. Ka arsye të forta për këtë: ligji duhet të bëhet i zbatueshëm përmes akteve nënligjore dhe përmes udhëzimeve administrative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisionerët zgjedhorë duhet të trajnohen, në mënyrë që të dinë se çfarë do të zbatojnë. Më pas, sigurisht, zgjedhësit duhet të informohen. E gjithë kjo kërkon kohë. Duhen bërë përgatitje. Ne do t’i mbështesim edhe këto përgatitje, por për këtë duhet kohë dhe koha po ikën”, nënvizoi Bochardt.

Një aspekt tjetër, vijoi ai, është se natyrisht debati publik i momentit ka krijuar shqetësim rreth punës së ardhshme të komisionit për reformën zgjedhore.

“Kushtetuta e Shqipërisë kërkon shumicë të cilësuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ne jemi të shqetësuar për rrezikun që mund të vijë nga pengesat apo nga ngadalësimi i progresit të reformës. Një gjë e tillë do ta kufizonte qëllimin e reformës. Pa një shumicë të cilësuar, mund të bëhen vetëm ndryshime nënligjore, të cilat mund t’i bëjë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por ne nuk e kishim fjalën për këtë kur nxitëm dhe rekomanduam me forcë një reformë zgjedhore”, – tha kreu i OSBE-së.

Borchardt tha se, sipas praktikës më të mirë ndërkombëtare, reforma zgjedhore duhet realizuar një vit përpara zgjedhjeve të radhës, ose, të paktën, gjashtë muaj përpara.
Lidhur me depolitizimin e administratës që organizon dhe mban zgjedhjet në Shqipëri,

Bochardt theksoi se “depolitizimi i strukturave zgjedhore është, padyshim, një nga rekomandimet më të rëndësishme, por jo i vetmi. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, OSBE-ja ka bashkërenduar dhe mobilizuar shumë mbështetje për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kemi organizuar 8 tryeza teknike të mëdha, ku janë diskutuar të gjitha aspektet, përfshirë dëshirat e partive për teknologjitë e reja të votimit dhe për votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, por kryesisht është diskutuar për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”.

Ndërsa për qëndrimin e OSBE-së përkundrejt vendimeve, të cilat kanë peshë edhe në vendimet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Borchardt tha se “prezenca e OSBE-së nuk është e përfshirë në diskutimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Kjo çështje i takon BE-së. OSBE-ja ka anëtarësi shumë më të gjerë se sa BE-ja. Ne kemi mbi 50 shtete në gjirin tonë dhe vetëm afërsisht gjysma e tyre janë anëtare të BE-së. Pra, kjo çështje nuk është pjesë e mandatit tonë në Shqipëri”.

Gjatë 20 viteve të fundit, shtoi ai, Prezenca ka mbështetur të gjitha qeveritë shqiptare në hartimin, miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të reformave, përfshirë reformën zgjedhore, gjë që sjell reformimin e institucioneve, forcimin e demokracisë dhe promovimin e shtetit të së drejtës.

“Duke bërë këtë, ne, sigurisht, edhe kemi ndihmuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe integrimin e Shqipërisë”, – tha Bochardt. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.