Kisha e Shën Nikollës në Berat kthim në identitet

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ – Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kombëtare në Berat vijon punën çdo ditë për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore të qytetit, të cilësuar si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Punonjësit e DRTK-së Berat po kujdesen për kryerjen e ndërhyrjeve restauruese në Kishën e Shën Nikollit, në lagjen Kala, e cila prej shumë kohësh ishte në listën e objekteve të rrezikuara për shembje dhe degradim total.

“Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm”, shprehet DRKK Berat.

Sipas specialistëve, ndërhyrjet e restaurimit konsistojnë në punimet për konstruksionin e çatisë, zbërthimin me kujdes të elementëve të saj, zëvendësimin e trarëve dhe elementëve përbërës së strukturës.

Gjithashtu do të trajtohen muret e brendshme duke restauruar pjesët e degraduara me llaç – gëlqere dhe më pas trajtimin e tyre me sherbet gëlqere. Tavani do të zbërthehet me kujdes dhe do të trajtohet duke restauruar elementin e rozetës në qendër të saj.

Kjo e fundit do të rilevohet me kujdes gjatë punimit dhe do t’i kryhet një projekt i veçantë për restaurimin e pjesëve të ornamentikës prej druri nga specialistë të sektorit të artit dhe mjeshtrat marangozë. Përpara ndërhyrjes projekti i kësaj të fundit do të konsultohet me sektorët përkatës në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Në pjesën e jashtme do të ketë ndërhyrje në pastrimin e inerteve, eliminimin e bimësisë të ulët e të lartë, të cilat kanë prekur konstruksionin e monumentit, injektimin, plotësimin me elementin lidhës llaç – gëlqere e stazhionuar në pjesët e degraduara, qepjen e muraturës me kujdes për të eliminuar çarjen vertikale të lokalizuar në një pjesë të fasadës, pastrimin e qemerit të portës dhe muraturës së gurit të fasadave dhe absidës nga gëlqerja, me qëllim nxjerrjen në pah të sipërfaqes së gurit dhe leximin e qartë të fugave llaç – gëlqere qull e stazhionuar.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.