Intensifikim i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës

TIRANË, 5 Tetor /ATSH/ -Intensifikim i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës.
Ambasadorja Rezidente e Shqipërisë në Poloni dhe jo-residente në Estoni, Letoni, Lituani dhe Ukrainë zhvilloi një vizitë në Ukrainë ku u takua me Zv/Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Ekonomisë së Ukrainës, Stepan Kubiv.

Në takim u vlerësuan zhvillimet pozitive në bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe u shpreh interesimi i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat me interes. SME, IT-ICT, Infrastruktura, energjia, etj, u vlerësuan si fusha ku palët mund të elaboronin mundësinë e shtrirjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.

U vlerësua krijimi i Komisionit të Përbashkët Ekonomik midis Shqipërisë dhe Ukrainës dhe u ra dakord të punohej për organizimin e takimit të parë të këtij Komisioni në pranverën e vitit të ardhshëm. Ambasadorja Kureta përfitoi nga rasti ta ftojë Zv/Kryeministrin Kubiv për një vizitë në Shqipëri.

Gjatë vizitës së saj në Ukrainë Ambasadorja Shpresa Kureta zhvilloi një takim edhe me zv/Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës Vasyl Bodnar.

Ambasadorja Kureta e siguroi edhe një herë Zv.Ministri Bodnar për mbështetjen e Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, për të cilën Zv. Ministri Bodnar shprehu mirënjohjen e Ukrainës.

Në takim u vlerësua 25 vjetori i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe mbajtja hapur e dialogut politik. U bisedua lidhur me zhvillimin e konsultimeve diplomatike brenda këtij viti, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, kuadrin ligjor të bashkëpunimit etj.

U vlerësua tradita pozitive e bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke në kuadrin e organizatave shumëpalëshe dhe rajonale.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.