FOTO – “Qyteti i trëndafilave”, më i ndriçuar dhe i bukur se kurrë më parë

TIRANË, 5 tetor/ATSH/- I njohur si “Qyteti i trëndafilave”, Përmeti për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, është një mundësi më shumë për turistët për të shijuar dhe përjetuar bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

Bashkia e Përmetit i ka dhënë një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës së këtij qyteti, ku bashkë me investimet e qeverisë ai tashmë po kthehet në destinacionin e turistëve në çdo stinë.

Ditët e fundit bashkia i ka kushtuar vëmendje ndërtimit dhe përmirësimit të ndriçimit rrugor në qytet.

Janë ndërtuar linja të reja elektrike dhe janë vendosur ndriçues Led në rrugët kryesore dhe lulishtet e Përmetit, duke i dhënë një pamje fantastike qytetit gjatë orëve të mbrëmjes.
Qytetarët tashmë mund të shijojnë shëtitjet e mbrëmjes nën shkëlqimin e dritave.

Qyteti i Përmetit është i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Kur mbërrin në Përmet, përballesh me një qytet të vogël, për nga shtrirja gjeografike, por të madh nga vlerat e shumta historike, kulturore e natyrore të tij. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.