FOTO/ “Makaronat e shejtanit”, të qeshura e argëtim në “Metropol”

124

TIRANË,5 tetor /ATSH/ – Një shfaqje plot të qeshura që u pasua me muzikë nga Erblin Bajko, vijoi programin në natën e dytë të festivalit ”Metrofest 2”. Komedia “Makaronat e shejtanit” u dha për publikun mbrëmjen e djeshme në teatrin Metropol.

Komedia erdhi e shkruar nga Lazër Lumezi, me regji të Rexhina Mollaymerit dhe nën interpretimin e Margent Çaushi, Erion Hodo, Aleksandër Mitrollari, Xhuliano Brisku, Artan Skënderasi.

“Makaronat e shejtanit” transmetoi tek publiku tematika thelbësore aktuale. Njeriu i ditëve të sotme nuk ka uri për ushqim, por pangopshmëri për para. Drejtuar nga materializmi, nuk kuptojmë dot më se kush do të jetë fituesi i kësaj lufte të vazhdueshme, mes asaj çfarë mendojmë ne që e bën jetën tonë më të bukur dhe asaj çfarë realisht i jep kuptimin e duhur jetës sonë.

Klasat shoqërore, diferencimi sipas pasurisë, ose pozitës të individit, ishin gjithashtu pjesë e pandashme e veprës ku dhe publiku në shumë raste gjeti vetveten në problematikat e përditshme./a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.