FOTO/ BE njeh Shqipërinë përmes kulturës

TIRANË,5 tetor /ATSH/ – “Pa dyshim edhe Austria dhe Be-ja, do të arrijnë ta “lexojnë” Shqipërinë edhe përmes këtij “medium“ tjetër, që e shpall potencialin, energjinë, aspiratën e fortë të integrimit, përmes kulturës”- u shpreh Kumbaro në prezantimin e librit “Të rizbulojmë të përbashkëtat”, në vitin kulturor Austri-Shqipëri 2018.

Prezantimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Ministres së Jashtme Austriake, Karin Kneissl në Tiranë në Ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

“Për të kuptuar Austrinë, nuk mjafton dija në konceptin politik, apo historik; themelet e Albanologjisë janë hedhur në Grac e Vjenë, por nuk mjafton vetëm kujtesa, kultura ka shumë për të na treguar, mësuar, njohur e afruar”- shtoi më tej ministrja Kumbaro në fjalën e saj.

Fokusi kryesor i bashkëpunimit midis dy vendeve është vendosur te shkëmbimi kulturor dhe shkencor me qëllim forcimin e lidhjeve kulturore shqiptaro-austriake dhe intensifikimin ndërkulturor dhe ky libër vjen si një produkt i cili synon të hartojë një kaleidoskop të marrëdhënieve shqiptaro- austriake.

“Mbi 60 aktivitete që janë realizuar në kalendarin e këtij viti na kanë treguar një Austri, që e kemi të afërt sot, jo vetëm si jehonë e një historie të gjatë e ende të gjallë, bashkëpunimi. Kemi jetësuar përgjatë këtij viti një miqësi që flet plotazi dhe denjësisht gjuhën universale të ndërkomunikimit njerëzor – gjuhën e artit dhe të shpirtit”-përfundoi Kumbaro./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.