Samiti i Dytë i Diasporës, përkon me përvjetorin e Kuvendit të Lezhës

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ – Samiti i Dytë i Diasporës do të mbahet në 2 mars 2019.

Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili thekson se, me kërkesë të Kryeministrit Edi Rama, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur në Korçë në datën 29 shtator u vendos që Samiti i Dytë i Diasporës të mbahet në 2 mars 2019. Kjo datë është edhe përvjetori i 475-të i Kuvendit të Lezhës që është një ngjarje e shënuar e historisë së shqiptarëve.

Majko shton se, ndryshimi i datës së mbajtjes së Samitit të Diasporës nga data e parashikuar në 28 nëntor 2018 u vlerësua edhe pas kërkesave nga komunitete të ndryshme të diasporës. Kjo datë është festimi më i madh që komunitetet shqiptare në vendet pritëse organizojnë tradicionalisht në vite.

Mbajtja e Samitit të Dytë të Diasporës në 2 mars 2019 do të jetë një arsye më shumë që përvjetori i Kuvendit të Lezhës të bëhet edhe me takimin mbarëshqiptar që Samiti i Dytë i Diasporës do të mbledhë në punimet e veta, thekson Majko.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.