Rikthehet fluturimi më argëtues i momentit “Boeing Boeing”

107

TIRANË,4 tetor /ATSH/ – Rikthehet fluturimi më argëtues i momentit ”Boeing Boeing” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe vijnë me regji nga Kiço Londo dhe nën interpretimin e aktorëve Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Andia Xhunga dhe Linda Jarani.

Kjo komedi vjen si një sukses botëror për publikun shqiptar dhe është një shfaqje që është mirëpritur dhe në skenat teatrore të qyteteve Durrës, Elbasan, Fier, Shkodër, Korçë.

Ngjarjet ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh. Tri stjuardesa, njëra më e bukur se tjetra, një franceze, një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit.

Më parë Bernardi ka ditur t’ia dalë me këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert, lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën.

Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert.

Shfaqja do jetë pranë publikut në sallën “Molier”, në Teatrin Eksperimental në datën 6 tetor, ora 19:00. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.