Reforma zgjedhore, Bushati: Angazhim për të bashkëpunuar me opozitën

TIRANË, 4 tetor /ATSH-Gjergji Mima/ – Qeveria shqiptare është e angazhuar për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore, deklaroi sot ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

I pyetur nëse moskonsensusi për reformën zgjedhore vë në rrezik procesin e integrimit, Bushati theksoi, “angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë së bashku në këtë proces”.

“Ju i referoheni reformës zgjedhore, po komisioni bipartizan i ngritur në Kuvend me ekspertizën që është vënë në dispozicion nga qeveria gjermane ka bërë një propozim fillestar sa i përket përkthimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR në një kuadër legjislativ të mundshëm i cili kërkon një shumicë të cilësuar të votave në Parlament. Pra kërkon kontributin e të gjitha partive parlamentare për t’u miratuar”, – tha Bushati.

“Si Ministër i Jashtëm, – shtoi Bushati, – i kam kërkuar OSBE-ODIHR të jetë i përfshirë në të gjitha fazat që kanë të bëjnë me hartimin e reformës zgjedhore dhe në zbatimin e saj. Jemi në limitet kohore dhe në këtë kontekst duam një orë e më parë të miratojmë këtë paketë aktesh, që reflekton një më një, të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR për t’i dhënë mundësi zbatimit të kësaj pakete në zgjedhjet e ardhshme vendore. Rekomandimi kyç kishte lidhje me depolitizimin, menaxhimin në mënyrë jopartizane të procesit zgjedhor dhe platforma që është përgatitur në këtë drejtim reflekton qartësisht rekomandimet e OSBE-ODIHR”.

“E njëjta ofertë e qeverisë, e Kryeministrit Rama drejtuar opozitës, vlen dhe për çështjet e tjera, – nënvizoi Bushati, duke vijuar se, – nga njëra anë gëzohemi kur dëgjojmë për egon pozitive të Reformës në Drejtësi, procesit të Vetingut, i cili po operon dhe në shkallë të tjera të gjyqësorit, nga ana tjetër duhet të punojmë së bashku për t’i dhënë mundësi magjistratëve të rinj të studiojnë tek shkolla e magjistraturës dhe të kemi një strategji të përbashkët, se si do të jetë sistemi i Drejtësisë nga pikëpamja e burimeve njerëzore në 2, 5 apo 10 vitet e ardhshme. Në këtë kontekst jo vetëm ndihma, por imputi i opozitës është i domosdoshëm, për aq kohë sa një parti politike e konsideron veten alternativë ndaj qeverisë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.