Punësimi u rrit me 4 % në gjysmën e parë të vitit

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ – Banka Botërore vlerësoi sot se, punësimi në Shqipëri u rrit me 4% në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërsa shkalla e papunësisë ra në 12.4% të forcës së punës.

Banka Botërore prezantoi në Tiranë ecurinë e ekonomisë për vendet e Ballkanit, ku citoi se, rritja e qëndrueshme e ekonomisë në Shqipëri, ka mbështetur krijimin e vendeve të punës dhe inkurajoi pjesëmarrjen në forcën e punës.

Sektori i shërbimeve dhe ai i industrisë kryesuan me numrin më të lartë të të punësuarve dhe rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve në segmente të caktuara të tregut të punës, po rrit presionet mbi pagat reale, të cilat u rritën me 2.3%, duke ndjekur trendin e nisur në vitin 2017.

“Rritja e pagave reale në bujqësi dhe ndërtim pritet të mbështesë rritjen e të ardhurave të të 40 për qind të punëtorëve që janë në pjesën e poshtme të shpërndarjes së të ardhurave, duke përmirësuar perspektivat për uljen e varfërisë këtë vit”, citon raporti i BB-së. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.