“Lutja”, Gazmend Leka sjell veprat e reja për publikun

TIRANË,4 tetor /ATSH/ – Piktori i njohur Gazmend Leka vjen sot në galerinë e artit FAB me ekspozitën personale “Lutja” për publikun artdashës kryeqytetas.

I njohur në aktivitetin e tij krijues, këtë herë piktori Gazmend Leka vjen me 24 piktura të reja në ekspozitën “Lutja”. Në shkrimin shpjegues për ekspozitën kuratori Ermir Hoxha shkruan se në heshtjen tonë, ne të gjithë lutemi, për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit. “Lutja është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen”, shkruan Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës në galerinë FAB.

Për kuratorin lutja është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. “Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar. Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne. Duket sikur artisti krijon gjithçka nga hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin heshtja e madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe”, shkruan Hoxha në tekstin kuratorial.

Për kuratorin ekspozita me 24 piktura në galerinë FAB i dedikohet kësaj heshtjeje të madhe.  “Të gjitha tablotë janë vegime imagjinare, shpirtërore, të një bote metafizike, të atij fraksioni kohe, para ngjizjes. Secila prej tyre është metafora e vdekjes së artistit. Është harxhimi i përditshëm i qenies. Është një dialog i gjatë e i pandërprerë, një shkarkim i madh. Vdes brenda, për t’u ringjallur jashtë”, thotë kurator.

Ekspozita “Lutja” do të qëndrojë në FAB deri më datë 31 tetor. Kjo ekspozitë, është një reflektim në vetë të parë i aktit shpirtëror të krijimit./a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.