Gjonaj: Reforma në Drejtësi, model suksesi për rajonin

99

TIRANË, 4 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Besoj fort se nëpërmjet forcimin e shtetit të së drejtës në të gjithë rajonin, me mbështetjen e Bashkimit Europian, e ardhmja e qytetarëve tanë do të jetë e mirë, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në konferencën e përbashkët për mediat me Eurokomisioneren Vera Jurova dhe ministrin e Drejtësisë të Austrisë, Josef Moser.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj theksoi se Reforma në Drejtësi që ka ndërmarrë Shqipëria, është një model suksesi, që ka bërë jehonë në vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Europian.

Në vijim të fjalës së saj, ministrja Gjonaj tha se zgjedhja e Shqipërisë për zhvillimin e Ministerialit, nuk ka qenë e rastësishme pasi Reforma në Drejtësi dhe procesi i vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve që Shqipëria ka ndërmarrë, është një model suksesi që ka bërë jehonë në vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Europian.

Duke folur për standardet në sistemin gjyqësor si ministre e Drejtësisë, Gjonaj tha se pata kënaqësinë të ndaj me vendet e Ballkanit Perëndimor, faktin se reforma shqiptare në Drejtësi është hartuar me standardet më të mira ndërkombëtare, falë edhe asistencës të ekspertëve më të mirë vendas dhe të huaj. Me këtë reformë ne kemi transformuar rrënjësisht sistemin tonë të Drejtësisë dhe po ecim dita-ditës, drejt zbatimit të suksesshëm të saj. Në përfundim të këtij procesi shtetformues, Shqipëria do të ketë një sistem gjyqësor tërësisht profesional, të pavarur, të pandikueshëm politikisht dhe të krahasueshëm për nga eficienca dhe cilësia me sistemet më të konsoliduara europiane”.

Po ashtu, Gjonaj shtoi se “nëpërmjet procesit të Vetingut po pastrohet pallati i Drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të paaftë, apo të lidhur me krimin e organizuar. Deri më sot ky proces ka dhënë rezultate mbresëlënëse, duke rikthyer besimin e munguar të qytetarëve në sistemin e Drejtësisë, por duke vendosur në rrugën e ligjshmërisë veprimtarinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në përfundim të këti procesi trasformues, qytetarët shqiptarë do të mund të gjejnë në dyert e gjykatave drejtësinë e munguar prej 25 vitesh”.

“Reformimi  i sistemit gjyqësor nuk është një punë e lehtë. Sa më e thellë të jetë reforma, aq të fortë janë dhe kundërshtarët e saj. Qytetarët shqiptarë e kanë parë rezistencën që kanë bërë partitë politike dhe grupet e interesit në gjyqësor, kundër Reformës në Drejtësi, por siç edhe e tregoi takimi i sotëm, se ne jemi në anën e duhur të historisë dhe me BE dhe partnerët ndërkombëtarë në krah, jam besimplotë që do ia dalim të bëjmë një sistem të drejtë për shqiptarët”, – tha ajo.

Po ashtu, Gjonaj tha se “gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm është rruga e vetme e shqiptarëve drejt vlerave të përbashkëta europiane, prandaj ne jemi të angazhuar para shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane”.

“Takime si ky, i japin mundësinë të gjithë vendeve të rajonit që të rrisim bashkëpunimin drejt reformave shtetndërtuese, duke ndihmuar njëri-tjetrin në kapërcimin e sfidave të përbashkëta. Në këtë qëllim të përbashkët ne nuk jemi vetëm. Përpjekjet reformuese të çdo vendi të rajonit kanë nga pas forcën e madhe nxitëse të BE-së. Nëpërmjet përdorimit të standardeve të njëjta për forcimin e shtetit të së drejtës dhe sigurimin e pavarësisë dhe paanësisë të sistemeve gjyqësore do të jemi në gjendje për të garantuar vijimin e përpjekjeve reformuese të sistemit të Drejtësisë në të gjithë rajonin”.

“Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje  të shkëmbejmë eksperiencat më të mira dhe të nxisim njëri-tjetrin për të marrë reforma, që do të japin drejtësi dhe barazi për vendet tona”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.